“Peshku i madh e ha të voglin”, thotë shprehja popullore, por do të shtonim edhe shprehjen “jo pa luftë”. Tetë klube të Premier Ligës janë kundër projektit të krijuar dhe të mbështetur nga Mançester Junajtidi dhe Liverpuli për të bërë ndryshime drastike në formatin e kampionatit dhe në shpërndarjen e të ardhurave financiare nga e drejta televizive. Mediat angleze shkruajnë se do të ketë rezistencë, ndërsa propozimi mund të miratohet vetëm nëse do të përkrahet nga 14 klube, nga 20 që ka gjithsej Premier Liga.
Projekti është për ta ulur numrin e skuadrave në 18, që t’i japë më shumë hapësirë klubeve anglezë në Championsin që pritet të zgjerohet. Po ashtu, është propozuar që të hiqet Kupa e Ligës dhe Superkupa e Anglisë, ndërsa edhe më ndikues është plani për të ndryshuar përqindjen e shpërndarjes së parave të fituara nga televizionet. Sipas “Deili Meilit”, aktualisht ekipi kampion në Premier merr 1.8 herë më shumë sesa ekipi i fundit, ndërsa sipas propozimit raporti do të shkonte në 4-1. Junajtidi e Liverpuli thonë se raporto do të jetë 2.25-1, dhe sërish Premier Liga do të ishte më barazitare se të gjitha ligat e tjera të mëdha në Europë. Gjashtë klubet kryesore, në këmbim, japin 700 milionë paundë stërlina në vit ndihmë për kategoritë poshtë Premier Ligës, ndërsa për të përballuar pandeminë kanë premtuar 250 milionë paundë stërlina.
Sfidanti.al