Sinqeriteti i vështirë i Gigsit për krahasimin Mesi-Ronaldo

Në raste të tilla, përgjigjet janë të paracaktuara, pak rëndësi nëse brenda tyre qendron apo jo e vërteta. Rajan Gigsi u pyet për krahasimin mes Lionel Mesit dhe Kristiano Ronaldos, dhe trajneri i sotëm i Uellsit, foli në një mënyrë pak specifike. Si ish-bashkëlojtar i portugezit, pritej që Gigsi të zgjidhte pikërisht CR7-ën, i justifikuar me të kaluarën e tyre të përbashkët, por sinqeriteti nuk mungoi.

“Është shumë e vështirë për mua të zgjedh njërin prej tyre, – tha Gigsi, – do të më pëlqente të vendosja për Kristianon, natyrisht sepse kam luajtur me të, dhe e kam ndjekur evolucionin e tij si futbollist. Veçse, Mesi është një gjeni. Është një lojtar që e shikon vetëm një herë në jetë, përgjigja është tepër e thjeshtë. Është shumë e vështirë të zgjedh, dhe do të doja të thoja Kristiano, por nuk ka krahasim”. Duhet thënë një “të lumtë” për Rajan Gigsin dhe ndershmërinë e tij, të paktën në këtë rast.

Sfidanti.al