Është prag Championsi, por te katalanasit ka edhe shumë kokëçarje të tjera. Pavarësisht 4 golave të Lionel Mesit që garantuan fitoren ndaj Eibarit, zhurma për skandalin e supozuar të “baltosjes së lojtarëve” nuk ka përfunduar. Pikërisht për këtë u pyet kapiteni i dytë, Gerard Pike, ndërsa priste pyetje për ndeshjen ndaj Napolit. Pra, si mendon qendërmbrojtësi se është e vërteta? “Unë i besoj presidentit për këtë çështje, – u shpreh ai, – natyrisht, isha shumë i prekur përpara takimit, por kjo çështje u diskutua dhe mendoj se ka kaluar. Le të hapim një faqe tjetër”.
Trajneri Kike Setien, ndërkaq, dëshiron të merret me çështjen sportive. “Kjo është ndeshja ime e parë në Champions, një debutim, dhe padyshim që ka emocione, – u shpreh ai, – është edhe motivacion. Besoj se ndaj Napolit do të jetë një ndeshje emocionuese. Besoj se do të luajmë mirë. Synimi ynë është që ta fitojmë këtë trofe. Nuk kemi folur për të kaluarën, për Romën dhe Liverpulin, por padyshim që lojtarët e mendojnë. Shpresojmë që t’ia dalim”.
Sfidanti.al