Salah i prish kthimin Xherradit në “Anfild” ndaj Liverpulit

Për të u kënduan këngë kur mbërriti në stadium dhe gjatë fillimit të ndeshjes. Stiven Xherrard ka qenë një emër tepër i madh për Liverpulin për të mos u ngritur në këmbë për të, veçse më pas, gjithkush në “Anfild” u tërhoq nga ritmi i ndeshjes. Tifozët e Liverpulit dhe të Aston Vilës kënduan për ish-kapitenin, i cili rrezikoi t’ia prishte mbrëmjen të kuqve, porse në fund ishte mbrëmja e tij që u prish nga një gol me penallti shënuar nga Mohamed Salah. Sulmuesi egjiptian u tregua i saktë në 67’ dhe ishte ky gol që vendosi ndeshjen. Liverpuli e meritoi fitoren duke pasur më shumë epërsi, ndonëse nuk ishte në ditën e tij më të mirë. Ky sukses bëri që të kuqtë të mos i ndahen Mançester Sitit, që fitoi më herët 1-0 ndaj Uolvesit. Pasi edhe Çelsi fitoi me shumë vështirësi ndaj Sauthemptonit 3-2, Siti kryeson renditjen e Premier Ligës me 38 pikë ndaj 37 të Liverpulit dhe 36 të bluve të Londrës.

Sfidanti.al