Rrëfimi i “babait” të Shumaherit: Korina më ka fshirë nga jeta e saj!

Ai e deshi kampionin e madhe sikur djalin që nuk e pati kurrë. Vili Veber dhe Mikael Shumaher ishin dyshja e madhe e Formula 1 për 20 vjet, njëri piloti më i mirë i epokës e ndoshta i historisë, i dyti menaxheri i tij, “babai” që e ndihmonte me këshillat dhe marrëveshjet e tij. Gjithsesi, që nga dhjetori 2013 kur Shumi pësoi aksidentin e tmerrshëm në Alpet e Francës, Vili Veber nuk ka mundur ta vizitojë ish-klientin e tij. Në një intervistë për RTL-në gjermane, ai thotë se “deri më sot unë nuk kam asnjë thirrje telefonike, asnjë letër, unë e kuptoj se ajo më ka fshirë nga jeta e saj”. “Ajo” është Korina, gruaja e Shumaherit, njeriu që po lufton heroikisht që burri i saj të kthehet në jetën normale. Përse ndodh kështu? Veber tregon për një gabim të tijin, i cili ndoshta nuk duhej ndëshkuar aq rëndë. “E takova Shumin në dhjetor 2013 pak ditë para aksidentit, – thotë ai, – kur ndodhi aksidenti, unë nuk mora avionin të shkoja në spital menjëherë, sepse pashë turma të mëdha aty dhe nuk desha të bëhem shqetësues më shumë. Jam penduar një mirë herë për atë gjë, ndonëse vuajta shumë nga ajo që i ndodhi Shumit, djalit që unë nuk e pata kurrë”.

Sfidanti.al