Uest Hemi nuk e fiton Premier Ligën, por sa kënaqësi që është në krye!

Stadiumi Olimpik në Londër kishte vite që nuk oshëtinte në këtë mënyrë. Madje, nuk kishte qenë futbolli, por yjet e atletikës si Mo Farah apo Greg Radhërford, që kishin ngritur peshë tifozët, por ja që i erdhi radha edhe Uest Hemit. Skuadra londineze po luan aty pasi iu prish shtëpia e vjetër dhe e dashur “Apton Park”, dhe më në fund po njeh ditë të lumtura. Fitorja 4-1 ndaj Leisterit bëri që “çekiçët” të ngjiteshin në krye të Premier Ligë, me pikë të barabarta me Çelsin apo Liverpulin. Ndoshta, ekipi i trajnerit Dejvid Mojes nuk do ta fitojë titullin, por është kënaqësi që ka një konkurrencë të tillë në kampionatin më të vjetër të botës, dhe që ai është fare në majë. Festa ishte e madhe edhe për Majkëll Antonion që shënoi dy gola dhe që u bë shënuesi më i mirë i Uest Hemit në historinë e Premier Ligës (që nga viti 1992) duke lënë pas rekordin e Paolo Di Kanios.

Sfidanti.al