Stefano Sorrentino është një emër që do të mbetet në kujtesën e Kristiano Ronaldos. Superylli portugez i mbylli dy ndeshjet përpara portierit veteran të Kievos pa arritur t’i shënonte asnjë gol. Pasi u ndalua prej 39-vjeçarit në Veronë (fitore e vështirë 3-2 e Juves), CR7-ta pati mundësinë më të mirë për ta ndëshkuar, kur mori përsipër të gjuante një penallti në minutën e 53-të në stadiumin e Torinos. Sorrentino e priti të djathtën e tij.
Gjithsesi, Juventusi nuk gaboi, por ia doli 3-0, me rrjeta të shënuara nga Dagllas Kosta (13’), Emre Xhan (45’) dhe Daniele Rugani (84’). Xhan ishte lojtari më i mirë në fushë, i ndjekur pikërisht nga Sorrentino. Ronaldo mbeti në kuotën e 14 golave në Serinë A, këtë edicion, baraz me Duvan Zapatën e Atalantës dhe Fabio Kualjarelën (Sampdoria). Juventusi, ndërkaq rivendosi epërsinë e 8 pikëve ndaj Napolit të vendit të dytë, duke kryesuar me 56 pikë, pas 20 ndeshjeve të luajtura në kampionat.
Sfidanti.al