Robert Levandovski vazhdon të jetë legjenda e golit!

Në Katalonjë është në hapat e parë, por po e tregon menjëherë se nga çfarë “brumi” është gatuar. Robert Levandovski shënoi dy herë për Barcelonën në fitoren 4-0 kundër Vajadolidit duke i bërë tifozët të besojnë thellësisht dhe të ëndërrojnë se më në fund sezoni do të jetë ndryshe. Polaku është i pandalshëm para portës. Ka arritur 622 gola në karrierë (546 me ekipet e klubeve, 76 me Poloninë), dhe vazhdon t’i afrohet në mënyrë të pandalshme shifrës 700, që e vendos ndër fare pak yjet e mëdhenj të futbollit që kanë kaluar mbi të. Të tillë si Ronaldo, Bican, Mesi, Romario, Pele, Pushkash, Gerd Myler apo Fridenrajh. Me Barçën ka arritur në 4 gola në vetëm 3 ndeshje kampionati dhe po tregon një përshatje të jashtëzakonshme. Me siguri, me një ekip si ky katalanas, tepër sulmues dhe kombinativ, me shokë sulmi si Dembele, Rafinja apo Ansu Fati, si dhe me shërbyes topash si Gavi, Pedri apo Buskets, padyshim që Levandovski do të vazhdojë të përparojë me golat.

Sfidanti.al