Revanshi i CR7-ës: Juventusi më mori për ndeshje të tilla!

Nuk është në nivelet e mëparshme të Realit, por kujt i prishet puna? Kristiano Ronaldo është 34 vjeç dhe sot di të kënaqet me shkëlqime më të rralla, por po aq të fuqishme sa më parë. i tillë, shkëlqimi në fitoren 3-0 ndaj Atletikos në Champions, ku CR7-ta kualifikoi Juventusin në çerekfinale me 3 golat e tij.

“Juventusi më mori pikërisht për mbrëmje të tilla, – nuk ngurroi të deklaronte ylli i kritikuar së fundmi, – për netë të tilla magjike. Në Champions duhet të kesh mentalitet të tillë, dhe ne jemi në rrugën e duhur. Duhej të kishte qenë një mbrëmje speciale dhe ashtu ndodhi. Gjithsesi, është herët të flasim për finalen, le t’i marrim ndeshjet me radhë”.

Liga e Kampionëve u duk hallka e vetme e dobët në “zinxhirin” e sezonit për Juventusin. Kryesimi me diferencë në Serinë A dhe fitorja potenciale në Kupën e Italisë nuk vlerësohen shumë nga specialistët për shkak të diferencës së madhe të Juves me skuadrat e tjera, ndërsa dështimi në Champions, do të ishte baraz me dështimin e gjithë sezonit. Falë Ronaldos (dhe të tjerëve), kjo nuk ndodhi, dhe superylli portugez mund të ndihet i lumtur se sërish po lufton për çdo trofe të mundshëm.

Sfidanti.al