Në Premier Ligë, ashtu si tek skuadrat angleze në Formula 1, nuk jepen urdhëra për pilotët. Gjithsesi, kohët kanë ndryshuar dhe traditat mund të shkelen me të dyja këmbët. Këtë e tregon sjellja e “bosëve” të Liverpulit me trajnerin Jurgen Klop, të cilin e kanë instruktuar që të ketë përparësi gjatë këtij sezoni.
Edhe pse Kupa e Anglisë është kompeticioni më i vjetër në botë, dhe tepër i adhuruar në ishull, në një futboll global, nuk vlen vetëm dëshira e tifozëve nostalgjikë anglezë. Pronarët dhe drejtuesit e klubit i kanë thënë Klopit (sipas mediave britanike) se përparësi këtë sezon do të ketë fitimi i titullit kampion në Premier Ligë, diçka që mungon prej 29 vjetësh, dhe nëse fitohej do të ishte hera e parë në 30 vjet.
Championsi padyshim që mbetet tepër e rëndësishme, objektiv madhor, por për arsyen e mësipërme, për arsye historike, duhet titulli. Nëse thyhet Mançester Siti në garën e Premier Ligës, një epokë e re mund të hapej për Liverpulin, e ngjashme me ato të Bill Shenklit e Bob Pejslit, si dhe të viteve 80-të me Xho Faganin apo Keni Dalglishin.
Sfidanti.al