Partizani e kishte si finale ndaj Teutës. Në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit u fituan 3 pikë të arta, që japin mundësinë për të punuar disi më qetë gjatë pushimit të kombëtareve. Ishte një triumf i pazakontë, që erdhi me përmbysje të çmendur. Të kuqtë kthyen rezultatin si asnjëherë tjetër këtë sezon. Nga 2 me 0 në favor të vendësve deri në minutën e 58-të, në 2 me 3. Dilema e madhe është si do të jetë paraqitja ndaj Vllaznisë, që kryeson me meritë kampionatin shqiptar. A do të ketë sërish një Partizan si ai i pjesës së dytë, i vendosur për të pasur rezultatin në favor?
Partizani shkoi në Durrës me pesë mungesa të rëndësishme. Arshonzh Bintsuka, Xhuliano Skuka, Marçelino Preka, Albion Marku dhe Saliu Sembene nuk u përfshinë në llogaritë e ndeshjes për shkak dëmtimi. Futbollistë të cilët u dëmtuan në dy ndeshjet e fundit tek “Arena e Demave”, ndërsa iu bashkuan pjesës tjetër që po ashtu mungon për shkak dëmtimi. Kërnaja u pa i detyruar, që të ftojë futbollistë nga ekipi B. Kështu në skuadër u bashkuan Marjus Kola, Diego Kontreras dhe Enea Kokomani.
Fitorja në Durrës u shtrua nga ekipi B Ishte minuta e 53-të, kur trajneri Kërnaja vendosi të guxojë me futbollistë që i njeh mjaft mirë. Nga fusha dolën Gudjufi, Isgandarli dhe Hjumen. Vendin e tyre e morën Buxhelaj, Kontreras dhe Kola. Të kuqtë ndryshuan sistemin duke preferuar të luajnë 3-5-2. Dhe kthesa erdhi menjëherë, pasi në pak minuta u vendos baraspesha. Kontreras ishte autori i golave, teksa Kola u bë pjesë e aksioneve. Të dy e kishin debutim me “demat” dhe janë për t’u duartrokitur për performancën e tyre.
Një ndeshje nga ato epiket në Shqipëri me përmbysje, dy penallti dhe një karton të kuq. Fitorja e Partizanit në Durrës ishte një çmenduri, për vetë faktin si më tepër se 90 minuta e përplasën disa herë Partizanin me vështirësitë. Fillimisht duhet përmendur fakti se për herë të parë në këtë edicion, Partizani reagoi pasi kishte pësuar gol. Asnjëherë tjetër nuk ia kishte dalë, të shënonte qoftë edhe një gol pasi kishte pësuar. Jo vetëm kaq, Partizani reagoi pas dy golave të pësuar në pjesën e parë ku gjithçka u duk e mbyllur.
Për Partizanin ishte e pazakontë, që në përfundim të dhjetë javëve të ishte vetëm një golashënues. Vusal Isgandarli me dy golat e tij nuk kishte pasur aspak ndikim, pasi sfidat me Vllazninë dhe Bylisin u humbën në shtator. Sfida ndaj Teutës i shtoi Partizanit dy shënues të tjerë. Fillimisht Diego Kontreras me dy gola nga aksionet, më pas Rrok Toma nga penalltia. Takimi në Durrës mund të shikohet edhe si i pari, ku reparti ofensiv funksionoi dhe pse me mungesa të rëndësishme. Golat erdhën nga Teutës që kishte bërë mjaft mirë në dhjetë javët e para. Mbrojtja bregdetare ishte ndër më të mirat e kampionatit. Teuta regjistronte vetëm pesë gola të pësuar. Për këtë, tre të shënuar vetëm nga Partizani aktual konsiderohen shumë.
Kërnaja dhe lojtarë nga Partizani janë shprehur se Partizani po kalon vetëm një ngërç. Nëse është pikërisht ashtu dhe fitorja në Durrës erdhi, atëherë duhet të pasojë me vazhdimësi. Të paktën 10 ditë kohë janë mundësi, për të përgatitur sfidën me Vllazninë. E gjithë koha e mjaftueshme, për të treguar se fillimi i vështirë do të harrohet në kampin e kuq. Aktualisht ekipi mbetet në vendin e tetë, që përkon me atë të “play out”. Deri tani janë grumbulluar 12 pikë.
sfidanti.al

