Pa fund “ankandi” për Kumbullën, katër ekipe në Serinë A rrisin “pazarin”!

Admiruesit po shtohen, madje u hodh edhe një hap. Për Marash Kumbullën u bë një ofertë zyrtare dhe kjo erdhi nga Fiorentina. Klubi i Firences, që mbështetet tek lojtarë shumë të mirë në sulm, mes të cilëve edhe Frank Riberi, dëshiron të garantojë edhe mbrojtjen. Verona, gjithsesi është duke pritur, pasi shtyrja e sezonit i jep mundësinë të nxisë konkurrencën, pra të rrisë vlerën e kartonit të 20-vjeçarit shqiptar.

Napoli, më herët kishte ofruar 24 milionë euro pikërisht për kartonin, plus edhe shpërbime për suksese të ndryshme. Lacio është gjithashtu një kandidate e rëndësishme për lojtarin kuqezi, por nuk mund të quhet favorite edhe pse drejtor sportiv aty është Igli Tare. Kumbulla duket më shumë i destinuar për shkuar në Milano, tek Interi, pasi zikaltërit kanë kohë që e kanë piketuar dhe po këmbëngulin më shumë se të tjerët. E rëndësishme është të thuhet se qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare do të hedhë hapin e madh në karrierë, diçka që do t’i vlejë shumë në moshën vetëm 20-vjeçare.

Sfidanti.al