Në Gjermani mendojnë se Bajerni është i pandalshëm në Europë!

Koha e tranzicionit që helmoi shpirtin e sa e sa trajnerëve e tifozëve, më në fund po “shporret”. Një ditë e re po agon për Bajernin e Mynihut, dhe “Zoti” i Bundesligës po ngjan gjithnjë e më shumë si “Perëndia” e ardhshme e Europës. Hijet e gjata të Riberisë e Robenit po lihen pas, Tomas Myleri e Boatengu janë ende të vlefshëm, por e ardhmja i takon gjeneratës së re. Tifozët dhe mediat gjermane shpresojnë që kjo të mos jetë vetëm në kampionat, por edhe në Champions.

Xhoshua Kimih e kujtoi fare mirë këtë me golin magjik shënuar në Dortmund, ndërsa krah tij janë Gnabri, Antonio Dejvis e po ashtu “këmbëshpejti” Koman. Këtyre u shtohet legjenda e gjallë, Robert Levandovski, si dhe talenti tjetër që pritet të vijë nga Mançester Siti, Leroi Sane. Kjo “gardë e re” do të udhëhiqet shpejt nga “kapiteni në pritje”, Kimih, ndërsa trajneri Hansi Flik është njeriu që krijon “mozaikun” e suksesit. Dortmundi e Lajpcigu shpresojnë që të shkatërrojnë “tiraninë” e Bajernit, por me gjasë 7 titujt e fituar deri tani nga bavarezët janë vetëm fillimi. Siç shkruan “Deili Meili”, “të arrish të mundësh sot Bajernin në Gjermani, do të ishte surpriza më e madhe që kur (në përrallë) breshka mundi lepurin”!

Sfidanti.al