Ostapenko, lindja e një ylli të ri të tenisit në “Rolan Garos”

I fundit njeri që ia doli të fitojë një Grand Slem në tenis, pa pasur asnjë fitore në karrierë më përpara, ishte Gustavo Kuerten. Pikërisht atë ditë që braziliani u bë kampion i “Rolan Garosit” në 1997, mijëra kilometra larg në kryeqytetin e Letonisë, Riga, lindte një vajzë me emrin Jelena Ostapenko. Kjo vajzë, ditën e djeshme u bë njeriu që përsëriti suksesin e 1997-ës së Kuertenit. Letonezja 20-vjeçare me origjinë ruse u bë, gjithashtu, e para fituese e një Grand Slemi për vendin e saj, si dhe e para teniste jashtë kokave të serisë që triumfon në “Rolan Garos” që prej vitit 1933, ku kampione e tillë u bë anglezja Margaret Skrajven.

Ostapenko nuk është më e reja në histori që merr titullin në Paris. Trejsi Ostin, Monika Selesh dhe Martina Hingis fituan në moshën 16-vjeçare, ndërsa Serena Uilliams ia doli në 17 vjeç. Gjithsesi, ajo u bë më e reja kampione që nga kroatja Iva Majoli në 1997 (19 vjeç), dhe solli një freski të jashtëzakonshme në tenisin e femrave që kishte nisur të plakej me Serena Uilliamsin, Maria Sharapovën apo Karolinë Voznjackin.

Në rrugën e saj drejt fitores, Ostapenko kaloi veterane si Samanta Stosur, Karolinë Voznjacki dhe pretendenten Simona Halep në finale, që e mundi 2-1. Rumunia do të kishte dalë në vend të parë në botë nëse do të kishte fituar, por fitorja i takoi letonezes që u ngjit e 12-ta. Ajo kishte fituar 1.3 milionë dollarë përpara Parisit, vetëm në “RG” mori 2.35 milionë USD.

Sfidanti.al