Ofertë e padëgjuar për Kristiano Ronaldon, sauditët i japin 300 milionë euro në 2 vjet!

Është pikërisht në atë moshë kur shumë yje mendojnë pensionin. Me gjasë këtë ka pasur parasysh edhe një klub misterioz arab, që i ka bërë Kristiano Ronaldos një ofertë të jashtëzakonshme. Sipas mediave europiane, ky klub nga Arabia Saudite kërkon që legjenda portugeze të luajë për të në dy sezonet e ardhshme, pra praktikisht ta mbyllë karrierën në Gjirin Persik, kundrejt një shumë financiare të padëgjuar ndonjëherë. Paketa totale për dy vjet për CR7-ën do të ishte rreth 300 milionë euro, nga të cilat 125 milionë në sezon do të ishte rroga. Përveç saj, Kristiano do të përfitonte edhe 30 milionë euro vetëm për hedhjen e firmës në kontratë, ndërsa agjenti i tij, Zhorge Mendes, do të merrte rreth 20 milionë euro shpërblim.

Nuk dihet ende as se cili është ky klub saudit dhe nëse Ronaldo ka dhënë apo jo përgjigje. Gjithsesi, nuk duket se superylli do të pranojë largimin nga Europa edhe pse është 37 vjeç, me gjendjen e tij fizike ende mjaft të mirë dhe aftësinë për të shënuar gola, të pandryshueshme. Sezonin e kaluar, ai realizoi 24 herë duke qenë shënuesi më i mirë për Mançester Junajtidin. Gjithsesi, ai nuk është bashkuar me skuadrën që tashmë drejtohet nga trajneri holandez, Erik Ten Hag, dhe që ka mjaft ditë që ka nisur fazën përgatitore. Për më tepër, fitorja e “djajve të kuq” 4-0 e miqësore ndaj Liverpulit në Tajlandë tregoi se ata mund t’ia dalin edhe pa Ronaldon.

Sfidanti.al