Nuk i ecën “nën çati”, Nadal shpëton nga “ferri” në US Open

Kur luajti për herë të fundit “nën çati”, pra në sallë të mbyllur, pësoi disfatë ndaj Novak Gjokoviçit në Uimbëlldon. Rafael Nadalit iu duk sikur u përsërit gjysmëfinalja e frikshme londineze, ndërsa luajti përballë rusit Kaçanov në turin e tretë në US Open. Në një sfidë të zhvilluar me çati të mbyllur për shkak të reshjeve të shiut, rusi shtatlartë dhe i ri luftoi pikë për pikë me numrin 1 të botës, dhe iu afrua fitores.

Përfundimi ishte 3-1 për Nadalin, por rezultati i seteve flet vetë: 5-7, 7-5, 7-6 (9-7), 7-6 (8-6), ndërsa ndeshja zgjati 4 orë e 23 minuta. Flet vetë edhe pika e fundit që i dha fitoren, të cilën spanjolli e mori vetëm pas 38 goditjeve. Kaçanov është 22 vjeç, 1.98 metra shtatlartë dhe shpreson që të fitojë Grand Sleme, kur “brezi i artë” i tenisit të tërhiqet, apo kur ai të jetë aq i fortë sa të mundë Federerin, Nadalin apo Gjokoviçin.

Sfidanti.al