Kampioni i gjashtëfishtë i botës është në një “udhëkryq” të karrierës së tij. Ljuis Hamilton mësohet se ka kërkuar garanci nga shefi i Mercedesit, Toto Volf, përpara sesa të firmosë një tjetër kontratë që do ta lidhte ndoshta përfundimisht me skuadrën gjermane. Në të vërtetë, garancia kryesore e kërkuar nga anglezi nuk është për veten e tij, por për vetë shefin Volf, sepse ai nuk dëshiron që drejtuesi të largohet nga ekipi. Besohet se 49-vjeçari austriak mund të jetë i ngopur nga 6 tituj radhazi në Formula 1 me skuadra dhe me pilotë, një rekord botëror për të dyja kategoritë, dhe ndoshta mund të kërkojë një sfidë tjetër emocionuese. Vetë Hamiltoni është përfolur disa herë se mund të shkojë tek Ferrari, për të provuar makinën e lavdishme italiane të paktën një sezon përpara sesa të mbyllë karrierën. Anglezi 34-vjeçar do të synojë titullin e 7-të kampion, që do të ishte një barazim me Shumaherin, ndërsa në Çmimin e Madh të Brazilit do të veshë një helmetë të veçantë në nder të të ndjerit Airton Sena.
Sfidanti.al