Milani është shënuar nga “sëmundja e San Siros”, por vuan nga “sëmundja në udhëtim”!

Deri sezonin që kaloi u humbën shumë pikë në shtëpi, dhe kritikat nuk munguan, ndonëse në fund u arrit titulli. Këtë sezon shpërdorimi i pikëve nuk po bëhet në “San Siro”, të paktën jo deri tani, pasi janë fituar të dyja ndeshjet “brenda”. Problemi është zhvendosur “jashtë” me dy barazime në dy sfida, pra edhe kjo e sotmja në Sasuolo (0-0). Që do të thotë se Milani ka 8 pikë nga 12 të mundshme dhe se është kaluar në renditje nga Interi, por edhe nga Roma. Këtë mund ta bëjnë edhe Napoli e Fiorentina të paktën. “Një provë e errët e kampionëve”, shkruajti “La Gazeta delo Sport”, dhe kishte të drejtë sepse vërtet Milani mbajti 62 për qind topin dhe ekzekutoi shumë më tepër goditje nga këndi, por gjuajtjet në kuadrat ishin vetëm 1! Më pak sesa Sasuolo! “U nxituam shumë dhe nuk ishim të qetë”, – tha tekniku Pioli. Gjëra që ndodhin, por shpresohet që “sëmundja në udhëtim” të kalojë sa më shpejt.

Sfidanti.al