E kaloi ngarkesën me Argjentinën dhe mungesën e fundjavës. Tashmë, Lionel Mesi është tjetër njeri sidomos në Ligën e Kampionëve ku ka 3 gola në 3 ndeshje për Paris SG. Paraqitja e tij më e fundit, ajo në pjesën e dytë ndaj Lajpcigut në “Parkun e Princave” ishte spektakolare dhe me dy rrjeta, ndërsa në pjesën e parë kishte shënuar Kilian Mbape. Superfuqia franceze rrezikoi të humbiste përballë gjermanëve më modestë sesa ajo, por për fat në fushë ishte Mesi. Bashkë me të edhe Mbape, që humbi penallti në fund të pjesës së parë, por shërbeu asistin e golit të barazimit 2-2 të Mesit, e po ashtu ishte francezi që fitoi penalltinë e kthyer në gol nga argjentinas. Leo provoi me sukses gjuajtjen “Panenka”. Duhet theksuar se Mesi u tregua altruist në rastin e penalltisë së parë që ia la vetë Mbapesë. Tashmë, argjentinasi ka 3 gola në 6 ndeshje për PSG-në, dhe ka 672 gola gjithsej për klubet, si dhe 752 bashkë me rrjetat me kombëtaren. Ai është ndër lojtarët që ka shënuar më shumë në histori, ndërsa në Champions i afrohet rekordit të Kristiano Ronaldos me 123 gola ndaj 136 të portugezit.
Sfidanti.al