Mercedesi: Do të vazhdojmë të fitojmë edhe pa Hamiltonin!

 

Nuk është se kanë plan që të mbeten pa të, por vjen dita që mosha bën të vetën dhe sportisti e mbyll karrierën. Pas disa vjetësh kjo do të ndodhë edhe me Ljuis Hamiltonin, dhe tek Mercedesi po bëjnë plane sesi do të jetë skuadra pa të. Shefi Toto Volf, i cili është thënë se mund të largohet vetë përpara kampionit të botës, nuk ka dyshim. “Do të fitojmë edhe kur të jemi pa Ljuisin, – tha ai, në një intervistë për “La Gazeta delo Sportin”, – Mercedesi është një skuadër që e ka bazuar suksesin në punën kolektive, pavarësisht se Hamiltoni është imazhi ynë dhe elementi ynë kryesor”. Me gjasë, Volfi beson se Mercedesi do të dijë të mbajë drejtuesit, inxhinierët dhe mekanikët më të mirë, si dhe të marrë pilotin e duhur pas Hamiltonit. Ndoshta mund të jetë Verstapeni, por ku i dihet, mund të dalë edhe ndonjë talent tjetër.

Sfidanti.al