Më në fund “L’Ekip” u kandis që ta vlerësonte në nivelin më të lartë të mundshëm. E përditshmja prestigjioze franceze i dha Kilian Mbapesë notën 10 për paraqitjen e bërë në fitoren 8-0 ndaj Kazakistanit, në radhët e Francës për eleminatoret e Botërorit. Nota e përsosur erdhi pasi sulmuesi i Paris SG shënoi 3 gola në 32 minuta, ndërsa pas pushimit shënoi një tjetër gol dhe shërbeu asistin për njërën nga rrjetat e Karim Benzemasë. Historia e notave të “L’Ekipit” është e tillë që e përditshmja franceze ka qenë shumë e ashpër, më e rreptë sesa shumica e gazetave europiane.
Mbape bashkohet në periudhën moderne, me lojtarë si Robert Levandovski, Lukas Mura, Karlos Eduardo, Nejmar dhe Lionel Mesi. Ish-kapiteni i Barcelonës e ka marrë dy herë notën 10, ndërsa lojtari i fundit që u vlerësua me maksimumin ishte Serg Gnabri i Bajernit pasi shënoi 4 gola në ndeshjen e Championsit që bavarezët e fituan 7-2 në fushën e Totenhemit në tetor 2019. Lojtarë të tjerë që kanë marrë notën 10 kanë qenë Frank Soze, Bruno Martini, Oleg Salenko, Lars Vinfild dhe Dushan Tadiç, ndërsa për çudi kjo nuk ka ndodhur me të tillë si Zidan, “Fenomenin” Ronaldo, Ronaldinjon apo Kristiano Ronaldon.
Sfidanti.al