Matvej Petrov rreshton medaljet për Shqipërinë, u bënë 5 me argjendin në Kupën e Botës!

Në nivel ndërkombëtar vetëm peshëngritësit mund të krahasohen me të. Matvei Petrov është kthyer në një nga fituesit më të mëdhenj të sportit shqiptar në arenën ndërkombëtare, duke shtuar në koleksion edhe medaljen e argjendit në Kupën e Botës të Sfidantëve. Në serinë e radhës, të zhvilluar në Baku të Azerbajxhanit, gjimnasti me origjinë ruse doli i dyti në disiplinën e tij të specializuar, kalin me doreza. Në vend të parë, kazaku Nariman Kurbanov, rival i përhershëm i Petrovit, ndërsa në vend të tretë u rendit francezi Siril Tomason. Kjo ishte medalja e katërt e rusit me nënshtetësi shqiptare dhe me rezidencë në Pragë të Republikës Çeke. Më herët ai ka fituar dy medalje të arta sërish në Kupën e Botës të Sfidantëve në Osijek të Kroacisë dhe Koper të Sllovenisë, si dhe një medalje bronzi në Sombateli të Hungarisë. Gjithsesi, triumfi më i madh i Matvej Petrovit për Shqipërinë dhe në gjithë karrierën e tij mbetet medalja e artë në Kampionatin Europian të dhjetorit të vitit 2020 në Mersin të Turqisë. Ai u shpall kampion i kontinentit, dhe ky është suksesi më i madh i gjimnastikës shqiptare në histori.

Sfidanti.al