Sulmuesi shqiptar pati një sezon të suksesshëm në Serinë A dhe kjo nuk ishte pak për një lojtar që ishte “zhdukur nga skena” për shumë kohë. Rej Manaj kishte zbritur në kategorinë e dytë dhe të tretë në Spanjë, edhe pse veshi fanelën e Barcelonës, ndaj kalimi i testit në Itali me Specian është për t’u vlerësuar. Jo vetëm kaq, por 25-vjeçari ishte tepër i dalluar për ekipin modest duke ndihmuar në mbijetesën në elitë, dhe kjo jo vetëm me 5 golat e shënuar në 30 ndeshje, por sidomos me shpirtin luftarak dhe kontributin në sulm e në mbrojtje. Për këtë arsye, tifozët e Specias e zgjodhën Manajn si lojtarin më të mirë të sezonit. Nga ana tjetër, klubi italian dëshiron ta mbajë dhe vetë futbollisti kuqezi shpreson të qendrojë. Lajmet nga Apeninet janë që duhen 2.7 milionë euro për Barcelonën, që e ka huazuar tek Specia, si dhe 1.5 milionë euro për rrogën, pasi vjet kjo barrë u nda me katalanasit.
Sfidanti.al