Man. Siti po kritikohet fort që u ndaloi tifozëve në stadium … kremin e plazhit!

Në të vërtetë, nuk kuptohet aspak logjika e vendimit të klubit, ndërsa nga ana tjetër të vjen pak për të qeshur sepse duket sikur njerëzit po shkonin në bregdet për banjo dielli, dhe jo në një ndeshje futbolli. Gjithsesi, në Britaninë e Madhe temperatura 31 gradë Celsius cilësohet e lartë dhe madje e rrezikshme (krejt ndryshe nga Shqipëria apo Mesdheu në përgjithësi), ndaj edhe tifozët deshën të merrnin masa dhe të kishin një tubet me krem plazhi në stadiumin “Etihad” për ndeshjen Mançester Siti-Bournmuth (4-0). “Kremi i diellit nuk do të lejohet në stadium, tifozët le të lyhen me krem para se të vijnë në ndeshje”, shkruajti një zyrtar i klubit në Tuiter. Kaq mjaftoi dhe nisën kritikat në rrjetet sociale, bashkë me sulmin nga një shoqatë bamirësie për sëmundjen e kancerit në lëkurë. Siti më pas bëri “prapakthehu” dhe deklaroi zyrtarisht se mesazhi në Tuiter kishte qenë një gabim.

Sfidanti.al