Mamaja e Mançinin: Bir, më ka marrë malli, por më mirë vonohu dhe fito Europianin

Nënë Mariana jeton në një qytet relativisht të vogël, me emrin Jezi (Jesi) shumë pranë Ankonës dhe brigjeve të Detit Adriatik. Është mamaja e trajnerit të Italisë, Roberto Mançini, dhe e ka marrë malli për djalin, i cili është i angazhuar prej javësh me kombëtaren. “La Gazeta  delo Sport” citon se mamaja Marianë (e para djathtas në foto) flet në telefon me të birin, ndonëse nuk e bën shpesh për të mos e bezdisur. “Është i qetë, ndërsa unë e pres që të vijë këtu në Jezi, – thotë ajo, – veçse le të vijë sa më vonë që të jetë e mundur”. Që do të thotë, të paktën deri në mes të korrikut sepse mamaja është tifoze dhe uron që Italia ta fitojë Europianin e futbollit.

Edhe pse ka probleme me gjunjët dhe ka bërë operacion, i ndjek ndeshjet bashkë me të shoqin, Aldon, ndërsa shpesh i viziton vajza (motra e Mançinit), Stefania. Kështu, ata e presin djalin në qytetin me 40 000 banorë, aty ku qindra vjet më parë ka lindur një perandor i shenjtë romak si Frederiku II, ndërsa kohët e fundit njihen skermistet (shpataret) e njohura, Xhovana Trilini dhe Valentina Vecali.

Sfidanti.al