Nuk iu dha mundësia e plotë, por edhe kështu ishte i jashtëzakonshëm. Luka Donçiç vazhdon ta rrisë lavdinë e tij në NBA, siç e tregoi me tripëll dabëllin e radhës, dhe me paraqitjen mahnitëse ndaj Golden Stejtit. Ylli më i ri, por edhe më i mirë i Dallasit, shënoi 33 pikë vetëm në pjesën e parë, duke mbetur vetëm 1 pikë larg rekordit të klubit vendosur nga Dirk Novicki 10 vjet më parë.
Donçiç shënoi 35 pikë, kapi 10 topa në tabela e shërbeu 11 asistë, ndërsa ishte thuajse i pagabueshëm. Ai realizoi 10 nga 11 gjuajtjet nga loja, prej të cilave 6 në 7 tripikësha të tentuara, si dhe gaboi vetëm një gjuajtje të lirë nga 8. Slloveni 20-vjeçar luajti vetëm 25 minuta, dhe kjo tregon se çfarë klasi dhe potenciali të rrallë zotëron ai. Shokët e tij të skuadrës ishin të bindur se nëse ai do të ishet lejuar të luante gjithë ndeshjen, do të kishte realizuar më shumë se 50 pikë.
Në ligën më të fortë të botës, në konkurrim me superyje si Lebron Xhejms, Koui Leonard, Rasëll Uestbruk apo Xhejms Harden, Donçiç është basketbollisti me më shumë tripëll dabëlla këtë sezon, plot 7. Dallasi triumfoi ndaj Golden Stejtit, nënkampion në fuqi, me rezultatin 142-94, duke i shkaktuar humbjen më të rëndë në më shumë se 45 vjet. Skuadra nga Teksasi ka rritje të madhe në krahasim me sezonin e kaluar, duke qenë në vend të 5-të në renditje në Konferencën Perëndimore, me 9 fitore e 5 humbje.
Sfidanti.al