Lindon Selahi është “buldozeri” shqiptar i Ligës së Parë të Kroacisë!

Skuadrës së tij nuk po shkojnë punët mirë, por nga ana personale është ndryshe. Lindon Selahi e ka merituar epitetin “Buldozeri” në Ligën e Parë të Kroacisë ku luan për Rijekën dhe ku është numri 1 në elementin e tij të preferuar. Mesfushori 23-vjeçar u shpall më i miri futbollist i kampionatit kroat për fitoren e dyluftimeve. Selahi ka 50 ndërhyrje për topin gjithsej, më shumë se cilido lojtar tjetër i kampionatit, ka rifituar 27 topa gjithsej, sërish më shumë se të tjerët, si dhe ka fituar 21 duele në tokë. Shqiptari i lindur në Belgjikë ka luajtur në 17 nga 19 ndeshjet gjithsej në elitën kroate, duke qenë titullar i padiskutueshëm dhe duke qenë lojtari i dytë me vlerësimin më të lartë tek Rijeka, pas mesfushorit Vrançiç. Ai ka notën mjaft të mirë 7.08. Gjithsesi, Selahi nuk është i kënaqur me atë që ka arritur ekipi këtë sezon, ndërsa ka shënuar 1 gol e ka shërbyer 1 asist. Rijeka është ende në vendet e fundit në renditje, ndonëse e nisi fazën e dytë me fitore 2-1 në fushën e Shibenikut dhe shpreson të mos rrezikojë statusin në Ligën e Parë të Kroacisë.

Sfidanti.al