Nuk kanë fund sherret në NBA, turp i madh në Orlando-Minesota!

Sezon me probleme në NBA. Liga kryesore e basketbollit në botë, aty ku luajnë yjet më të mëdhenj si Lebron Xhejms, Luka Donçiç, Nikola Jokiç apo Janis Adetokumbo, ka edhe fytyrën tjetër, atë të konflikteve fizike. Një sherr i rëndë ndodhi përsëri, këtë herë në sfidën mes Orlandos dhe Minesotës, ku nuk munguan grushtat e kacafytjet, duke dhënë shembullin më të shëmtuar për tifozët dhe të rinjtë në përgjithësi. Basketbollisti i Orlandos, Mo Bamba, u ngrit që nga stoli për t’u përleshur me lojtarin e Minesotës, Ostin Rivers, dhe kjo përplasje përfshiu edhe të tjerët. Pavarësisht se mjaft nga yjet dhe pjesëtarët e stafeve u përpoqën të vendosnin paqen, nuk ishte e lehtë të qetësoheshin gjakrat.

Incidenti ndodhi kur kishin mbetur 1 minutë e 32 sekonda në periudhën e tretë dhe Orlando po fitonte 83-73. Shkak besohet se u bë një debat verbal mes Riversit dhe disa pjesëtarëve në stolin e Orlandos në ndeshje e sipër. U deshën shumë minuta që situata të qetësohej, ndërsa gjyqtarët përjashtuan 5 lojtarë. Në fund Orlando fitoi 127-120 jashtë fushe, por rreziku për konfliktin vazhdoi edhe pas ndeshjes. Mediat amerikane raportojnë se Mo Bamba u desh të ndalohej nga policia jashtë Arenës.

Sfidanti.al