Një legjendë uron legjendën. Nuk mund të ndodhë ndryshe sepse kampionet e mëdha janë të tilla edhe sepse nuk kanë cmirë apo xhelozi. Ylli i atletikës shqiptare të viteve 80-të, Pavlina Evro, përgëzoi yllin e sotëm Luiza Gega pas suksesit në Kampionatin Botëror. Gega zuri vendin e pestë në rruzull duke vendosur edhe rekordin kombëtar, ndërsa Evro bëri urimin në faqen e saj në FB. “Vendi i pestë në botë nuk është pak, – shkruajti ajo, – ti e ngrite Shqipërinë tonë në piedestalin më të lartë. Vërtet u ndjeva e emocionuar dhe krenare! Sakrificat u shpërblyen!” Pavlina Evro u bë një nga të parat atlete shqiptare me rezultate elitare në Europë, duke fituar Mitingun Ndërkombëtar të Nisës në Francë, e duke marrë medaljen e bronzit në Lojrat Mesdhetare, në një kohë që ishte shumë e vështirë për sportistet shqiptare të fitonin përvojë jashtë vendit. Vajza nga Korça ishte pjesë e plejadës së Skënderbeut bashkë me atletet Anila Menkshi e Donika Hanxhara, që u përgatitën nga trajneri i shquar Pirro Kasati. Luiza Gega mund të cilësohet padyshim pasardhëse e Pavlinës në garat gjysmë të gjata, pasi është shpallur dy herë kampione e Mesdheut, doli e pesta në Botë dhe ka thyer disa herë rekordin kombëtar.
Sfidanti.al