Lebron Xhejms, një kampion i shqetësuar për Klivlendin!

Edhe kundërshtarët më optimistë kurrë nuk janë të sigurt me krizat e Klivlend Kavaliersit. Të paktën, jo për aq kohë sa Lebron Xhejms të luajë për të. Dy sezone më parë, skuadra ishte “ku të thërret qameti”, por sërish doli në finalen e NBA-së ku humbi ndaj Golden Stejtit. Edicionin e kaluar, Klivlendi ishte më dobët se tani, por shkëlqeu në plej of duke u bërë e para në historinë e NBA-së që përmbysi shifrat 1-3 me ndeshje në finalen e madhe, duke fituar titullin pasi pati sërish përballë Golden Stejtin.

Edhe këtë vit, Kavaliersi është më dobët sesa Golden Stejti dhe San Antonio, por njerëzit sikur janë mësuar me këtë gjë. Skuadra e Xhejmsit është si “Feniksi”, pasi rilind nga hiri i vet sa herë që i duhet. Gjithsesi, Lebroni është i shqetësuar. Pas disfatës së 13-të sezonale, në fushën e Nju Orlinsit, kampioni i madh i lëshoi një mesazh të qartë drejtuesve të klubit: Kemi nevojë për organizator. Këtë e përsëriti dy herë në Tuiter, dhe gjithkush e di se kur Lebroni kërkon diçka, ai e bën për të mirën e skuadrës, dhe dëshira duhet t’i plotësohet. Të shikojmë se cilin organizator do të marrë Kavaliersi.

Sfidanti.al