Në kohën e tij ka qenë një yll i vërtetë. Jo për talentin, të cilin Altin Lala gjithashtu e kishte, por sidomos për karakterin e fortë, që e bëri kapiten të kombëtares, e po ashtu kapiten në Bundesligë. Sot, pas një karrierë vërtet të veçantë me shiritin në krah, te përfaqësuesja shqiptare dhe tek Hanoveri, Lala është kthyer në një menaxher futbolli dhe hera-herës në një opinionist. Ai jep një intervistë për median sportive europiane “Trajbëll Futboll”, ku flet për kombëtaren, Kristjan Asllanin dhe për karrierën e tij. Lala vlerëson Silvinjon, ka besim, dhe jep një këshillë.
“Askush nuk e priste që Maroku të arrinte në gjysmëfinale të Kupës së Botës dhe ata e arritën për shkak të dëshirës së tyre. Ne jemi gjithashtu një vend i vogël pa superyje në ekip, është fjala si Kroacia. Nëse nuk sakrifikon dhe nuk jep gjithçka, është e vështirë të arrish rezultate. Xhani de Biazi kishte këtë mentalitet, i bënte lojtarët të kërkonin suksesin, dhe për këtë arsye ai arriti rezultate të mira”.
Kristjan Asllani ishte transferimi më i bujshëm shqiptar, që kaloi tek Interi, por pavarësisht vlerësimeve të ndryshme, nuk po arrin të luajë shumë. “Është e vështirë sepse janë lojtarë të rinj me ëndrra të mëdha. Për mua, zgjidhja më e mirë do të kishte qenë që Interi t’ia kishte blerë kartonin, por ta linte si huazim që të luante tek Empoli për një ose dy vjet. Kjo do t’i kishte dhënë Asllanit më shumë mundësi të rritej dhe të luante më shumë minuta”.
Lala pyetet për vitet kur luante futboll dhe thotë se rivalin më të vështirë ka pasur ish-yllin e Bajernit, Mehmet Sholl, të cilin e pati edhe trajner tek Bajerni II, ku luajti për një sezon. “Lojtari më i mirë me të cilin jam përballur ishte Mehmet Sholl. Ishte gjithmonë një lojtar shumë inteligjent dhe një nga mesfushorët më të mirë në botë. Të gjithë e dinim se Real Madridi ishte i interesuar për të. Kur u largova nga Hanoveri, shkova të luaja me ekipin e dytë të Bajernit dhe trajner ishte Sholl. Kur u përshëndetëm për herë të parë, i thashë se ishte lojtari që e urreja më shumë dhe ai më tha të njëjtën gjë”
Lala është sot menaxher futbolli dhe njëri nga lojtarët e tij është Milot Rashica, që pasi luajti në Bundesligë e Premier Ligë, është tek Gallatasaraji në Turqi.
Sfidanti.al