Lojtarët e Gjibraltarit morën hak në ndeshjen e fundit duke mos ia dhënë dorën, dhe duket se bënë mirë. Erling Halandi u la i ofenduar, ndërsa futbollistët e ekipit të vogël përfaqësues ishin të zemëruar nga ajo që e quajtën mungesë klasi nga ana e norvegjezit marsin e kaluar. Njëri prej lojtarëve, Risi Stish (Styche) deklaroi se Halandi ishte sjellë keq me kapitenin e ekipit Roi Çipolina. “Në ndeshjen e fundit asnjëri prej nesh nuk e donte fanelën e tij, dhe ne e injoruam, – thotë futbollisti, – kjo sepse në mars, kapiteni ynë i kërkoi Halandit fanelën, të cilën e donte për djalin e tij të vogël që ishte tifoz i norvegjezit. Kur dëgjoi kërkesën, Halandi thjesht i hodhi një vështrim kapitenit tonë, qeshi dhe u largua. Ai mund të blejë thuajse gjithçka, por ai nuk mund të blejë klasin”. E pra, nëse kjo histori është e vërtetë (dhe duhet të jetë e tillë), Halandi bën mirë të mësojë të sillet.
Sfidanti.al