Kush do fitojë tek Çelsi, inteligjenca apo temperamenti i Sarrit?!

Nuk është aspak “përzierje” e re, ajo e një karakteri të ashpër, e inteligjencës së lartë dhe e freskisë mendore. Këto janë “përbërësit magjikë” për të krijuar një trajner të madh, por a do të ndodhë kështu me Mauricio Sarrin tek Çelsi? Ish-financieri i bankës kaloi me sukses provat tek Empoli dhe Napoli, veçse ata ishin klube të pamësuar me trofe, ndërsa Çelsi është diçka tjetër.

Xhanfranko Xola, ndihmësi i Sarrit, thotë se mjeshtri italian do të dijë të dalë fitues. “Inteligjenca e tij është më e lartë sesa shpërthimi i temperamentit të tij, – ishin fjalët e patriotit të Sarrit, – Mauricio ka vërtet temperament të zjarrtë dhe të ashpër, por ai është shumë inteligjent dhe ai e di mirë se çfarë bën”. Xola i doli në mbrojtje Sarrit, pasi trajneri u kritikua që akuzoi publikisht lojtarët e tij se u mungonte dëshira për të luajtur.

Fjalët e tij bënë punë dhe, pas humbjes 0-2 me Arsenalin në kampionat, blutë mundën Totenhemin dhe arritën në finalen e Kupës së Ligës. Gjithsesi, nuk dihet nëse inteligjenca e Sarrit do të mjaftojë që Çelsi të fitojë trofe, diçka për të cilën e ka marrë Roman Abramoviçi. Klubi ka qenë ndër më të mirët në Angli me 17 trofe në 15 vitet e fundit: 5 tituj kampion, 5 Kupa të Anglisë, 3 Kupa të Ligës, dy Superkupa të Anglisë, një Champions dhe një Ligë të Europës.

Sfidanti.al