Jehona për Argjentinën dhe Mesin: Dashuria është më e forta!

Nuk ka gjë më kuptimplotë. Deti i njerëzve në bulevardin qendror të Buenos Airesit, që festuan fitoren e kombëtares në Kupën e Botës, ishte imazhi për Çmimin Nobel që mund të jepet për këto momente. Jehona për Argjentinën në Katar ishte vërtet e jashtëzakonshme. Britmat e komentatorit të shquar argjentinas, Andres Kantor pas penalltisë së fundit nuk kishin nevojë për koment. Sa shumë i ngjajnë komentit të legjendës tjetër të mikrofonit, Viktor Hugo Morales që pati fatin të përshkruante golin e shekullit të Maradonës në Meksikë në 1986. Të përditshmet nuk ishin kaq të zhurmshme, por aspak më të bukura dhe dramatike.

Kuptimplotë përfundimi i gazetës “El Hinça”: Dashuria është më e forta, ndërsa Mesi i ngjit buzët trofeut ende të pamarrë! Fletorja “Ole”: Vuajtja është argjentinase! Atdheu u dridh dhe u kënaq me Seleksionin që me dorën e Mesit mori titullin e tretë në finalen e infarktit “Faleminderit Mesi”, titullon “Klarin”, me foton e kampionëve të rinj në fushën e stadiumit. “Lavdi e përjetshme”, është komenti kryesor i të përditshmes “La Nasion”, ndërsa fotoja është e Mesit që puth kupën! Gazeta “La Voz” ka titull me një fjalë, “trefishkampionë”, ndërsa skuadra është në podium me trofeun dhe medaljet.

“L’Ekip” ngushëllon kombëtaren e, Francën: Me kokën lart, titullon e përditshmja e Parisit, me Mbapenë me Këpucën e Artë, por pa kupën e botës. “Krenarë për Blutë tanë”, është komenti i “Lë Parizienit”, me foton e madhe sa kopertina me yjet e dëshpëruar të Francës pas humbjes. “Momenti i Mesit”, shkruan “Indipendenti” britanik, më i madhi lojtar, më e madhja finale, trofeu më i lakmueshëm! “Marka” e Madridit bën lojë fjalësh në titull për ta cilësuar Mesin si një qiellor, ndërsa finalen si më të mirën në histori! Kuptimplotë titulli i të përditshmes “Sport” nga Barcelona, ku Mesi adhurohet si askush tjetër: Zoti ekziston! Gjetje më vete në kopertinën e “La Gazeta delo Sportit” të Italisë: Mesi, Këmba e Zotit, duke ia përngjarë “Dorës së Zotit” të Maradonës.

Sfidanti.al