Fitorja e fundit në Melburn vetëm i hapi edhe më shumë oreksin. Rozher Federer e vendosi “stekën” deri në atë “lartësi” ku dëshiron të shkojë përpara se të braktisë sportin. “Do të luaj edhe 3 vjet të tjerë”, – është vendimi i gjigandit më të madh të tenisit botëror për të gjitha kohët. Grand Slemi në Australian Open duhet të ndiqet edhe nga të tjerë, gjithnjë nëse do ta “mbajnë gjunjët” deri në moshën 38-vjeçare. Federer ka firmosur një kontratë 3-vjeçare për të luajtur në një turne në vendin e tij, Zvicër, dhe kjo tregon synimet e tij.
Për momentin ai është tepër i lumtur dhe ka arsye të forta. Në Melburn fitoi një Çmim të Madh pas 5 vitesh, duke mundur me vështirësi në një finale të madhe, rivalin e tij kryesor të karrierës, Rafael Nadal. Për të festuar triumfin, Federer shkoi bashkë me trofeun e çmuar në majë të një mali të mbuluar me borë, besohet në Zvicër. “Gjithnjë kam dashur ta marr trofenë me vete në një mal, – shkroi ai në Instagram, – nga gremina, tani në majë”.
Sfidanti.al