Fjala e parë dhe e fundit ishte e kampionit të botës, dhe Mercedesi duket se do ta vazhdojë dominimin edhe për këtë vit, të shtatin me radhë. E tillë gjendja në Formula 1, ku rivaliteti është bërë “për t’u qarë me lot”, dhe ku qeshin e gëzohen hareshëm vetëm tifozët e skuadrës gjermane, të Ljuis Hamiltonit, e të Valteri Botas. Çmimi i Madh i Stirisë (Shtajermajer për austriakët vendas) shkoi pikërisht për Hamiltonin, që pati diferencë të madhe me ndjekësit, dhe ku Botas siguroi vendin e dytë në xhirot e fundit, duke parakaluar Verstapenin.
Gjithsesi, lajmi që bën më shumë përshtypje është katastrofa e plotë e Ferrarit, pasi dy pilotët e tij u përplasën me njëri-tjetrin që në fillim. Më saktë, ishte Sharl Lëklerk që “iu hodh në shpinë” Sebastian Fetelit, duke i dëmtuar të dyja makinat, ndërsa kujtohet përplasja e vjetshme në Brazil, kur fajin e pati Feteli. Pilotët e “kokëkuqes” u tërhoqën shpejt nga gara, duke e ulur konkurrimin në minimum. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se Ferrari pak premtonte të konkurronte pasi zuri vendet 10-të e 11-të në provat zyrtare.
“Jam shumë i zhgenjyer, i dëshpëruar dhe i penduar, por kjo nuk mjafton, – tha Lëklerku, – më vjen keq për Fetelin që nuk pati asnjë faj. Zhgënjeva ekipin pas gjithë asaj pune që kemi bërë. Duhet të mësoj nga kjo”. Shefi i italianëve, Binoto, theksoi se “ndoshta kemi bërë gabime në bazë të projektit, pra në planifikim”. Një pohim shumë i rëndë. Maks Verstapen nuk pati mundësi të rivalizonte denjësisht pasi duket qartë se Red Bulli nuk është në lartësinë e Mercedesit. Renditja e garës: Hamilton, Botas, Verstapen! Renditja e Botërorit: Botas 43 pikë, Hamilton 37, Norris 26, Lëklerk 18, Perez 16, Verstapen 15.
Sfidanti.al