Gjermania e Hansi Flikut nis të ngjajë me supefuqinë tradicionale

Shprehjen e dikurshme të Geri Linekerit për gjermanët e dimë të gjithë dhe nuk ka nevojë që ta përsërisim. Mund të themi vetëm se që nga viti 1954 e deri në 1996, Gjermania ishte skuadra e përhershme e suksesit në nivelet më të larta të Botës dhe të Europës, duke dalë thuajse gjithmonë në gjysmëfinale e finale të turneve të mëdhenj, e duke korrur shumë fitore. Edhe pas 1996-ës tradita deri diku vazhdoi me Gjermaninë që arriti finalet e Botërorit 2002, të Europianit 2008 dhe duke fituar Kupën e Botës në 2014. Në Botërorin 2010 dhe në Europianin 2012, “teutonët” arritën gjysmëfinalet, por gjatë 8 viteve të fundit ka pasur një rënie drastike. Duket se tani me trajnerin Hansi Flik, ekipi kombëtar gjerman po kthehet tek tradita. Kjo, jo vetëm pas fitoreve radhazi në eliminatoret e Kupës së Botës, por edhe në barazimin 1-1 në fushën e Italisë për Ligën e Kombeve. Përtej shifrave të barabarta me golat e Pelegrinit dhe Kimihut, dhe përtej gjuajtjeve e korneve thuajse barabar, skuadra e Flikut ishte më autoritare, më dominuese, më moderne sesa kampionët e Europës të Roberto Mançinit, duke mbajtur topin 65 për qind, e duke bërë 611 pasime ndaj vetëm 302 të Italisë, pra dyfishin!

Italia (4-3-3): Donaruma, Florenci, Açerbi, Bastoni, Biragi (Dimarko 80’), Fratezi (Riçi 85’), Kristante, Tonali (Pobega 80’), Politano (Gnonto 65’), Skamaka (Kançelieri 85’), Pelegrini.

Gjermaia (4-2-3-1): Nojer, Kehrer, Rydiger, Zyle, Henriks (Hofman 59’), Kimih, Gorecka (Gyndogan 69’), Gnabri (Raum 80’), Myler (Haverc 80’), Sane (Musiala 59’), Verner.

Sfidanti.al