Kurrë dikush nuk ka arritur ta fitojë kupën e botës tri herë, duke përmbledhur sukseset si lojtar dhe si trajner. Të tillë si Bekenbaueri dhe vetë Didie Deshamp ia kanë dalë nga dy herë, një si futbollist dhe një në stol, ndërsa francezi këtë fundjavë mund ta kalojë legjendën e madhe gjermane. Në Klerfonten, atë e quajnë “gjenerali i vogël”, ndërsa ish-mesfushori inteligjent vazhdon të drejtojë me sukses (dhe hera-herës me probleme) një grup të madh yjesh që jo më kot quhen “gjela”. Franca është vetëm 2 ndeshje larg realizimit të ëndrrës, fitores së dytë radhazi të titullit dhe të tretit në histori. Vetëm një Brazil, një Itali e një Gjermani kanë bërë më shumë, ndërsa do të liheshin pas Uruguaj apo Argjentina. “Në gjysmëfinale kanë dalë 4 ekipe që kanë pasur fatin me vete, – thotë Deshampi, – jemi të lumtur që bëjmë pjesë në këtë grup. Maroku ka pësuar vetëm 1 gol në turne, kush i priste deri këtu? Meriton të shkojë në finale, ashtu si edhe ne”.
Sfidanti.al