Trajneri Poter i shqetësuar për Brojnë: Le të kryqëzojmë gishtat, por duket keq!

Nuk dihet se kur do ta shikojmë përsëri në momente të tilla. Armando Broja vërtet është një talent i madh, të cilin nuk dëshiron ta humbasë as Çelsi, por asnjë yll nuk mund të dalë dot kundër fatit. Sulmuesi i kombëtares shqiptare u godit pikërisht nga fatkeqësia në miqësoren që Blutë e Londrës e humbën 0-1 me Aston Vilën në Abu Dabi, dhe dëmtimi i pësuar mund t’ia humbasë krejt sezonin. Njëzetenjëvjeçari doli nga loja me barrelë, dhe shqetësimi për të ishte i madh. Trajneri Graham Poter nuk arriti ta fshihte në intervistën pas ndeshjes. “Ishte një aksion fatkeq, – tha tekniku, – Ai u ngatërrua me lojtarin tjetër ndërsa u rrëzua në fushë. Nuk duket pozitive për momentin, por është shumë herët që të flasim. Le të lutemi, por duket diçka e keqe”. Sipas mediave angleze, Broja mund të mbyllë sezonin nëse të gjitha kontrollet mjekësore vërtetojnë që ai ka këputje të ligamentit kryq të gjurit.

Sfidanti.al