Në stadiume e kishin vërshëllyer shumë, por gjithëse dashuria nuk ishte zhdukur. Brazilianët e quajnë të shtrenjtë kombëtaren e futbollit dhe e treguan kur e pritën me shumë ngrohtësi në Sao Paulo, ku shkoi për ndeshjen ndaj Perusë në Kupën e Amerikës. Tifozët nxitën idhujt e tyre që të bënin më shumë sesa thjesht të fitonin.
Diçka të tillë duket se ua kërkoi edhe ylli i dëmtuar, Nejmar, që nuk ngurroi të vizitonte shokët e skuadrës, për t’i dhënë zemër, dhe për t’u thënë se ndodhej gjithnjë pranë tyre. E gjitha kjo duket se ndikoi për mirë tek lojtarët e përzgjedhur nga trajneri Tite, që bënë pikërisht atë që pritej në Arenën Korinthians.
Në prani të mbi 42 000 spektatorëve, pesë herë kampionët e botës shënuan pikërisht pesë gola, duke fituar 5-0, e duke u kualifikuar në vendin e parë në grup. Lojtari i Realit, Kasemiro, hapi rezultatin që në minutën e 11-të, Firmino i Liverpulit shënoi golin e dytë dhe Everton thelloi epërsinë brenda pjesës së parë. Pas pushimit, Dani Alvesh dhe Uillian vulosën shifrat.
“O Globo”: Brazili bombardon Perunë dhe del i pari në grup! Për t’u mbajtur mend, Firmino e Dani Alvesh festojnë në fushë, që të dy shënuan në fitoren në Arenën Korinthians! “Estado de Minas”: Më në fund! Brazili luan mirë dhe kualifikohet me goleadë! “O Dia”: Ishte siç duhet! Me një lojë shumë të mirë, Brazili shemb me gola Perunë dhe kalon si i pari në grupin A!
Brazili cilësohet si favorit për fitoren finale në Kupën e Amerikës, ndonëse kundërshtarët si Kili apo Uruguaj do të përpiqen të shkaktojnë të papriturën.
Sfidanti.al