Forca e Premier Ligës, vendi i fundit fiton mbi 100 milionë euro

Liverpuli u bë skuadra me të ardhurat më të mëdha financiare nga e drejta televizive e këtij sezoni në Premier Ligën e Anglisë. “Të kuqtë” e Jurgen Klopit futën në llogaritë bankare plot 172.3 milionë euro (rreth 152.5 milionë paund stërlina), pra më shumë se Mançester Siti (që fitoi 171 milionë euro), dhe kjo sepse Liverpuli ishte ekip më popullor me televizionet.

Në total, të 20 klubet e kampionatit anglez fituan mbi 2.3 miliardë paund stërlina, pra rreth 2.6 miliardë euro nga e drejta televizive në 2018-2019. Premier Liga ishte shumë e fortë dhe premton të jetë sërish e tillë, dhe një nga arsyet është që të gjithë klubet marrin shumë para. Mjafton të thuhet se edhe ekipi i vendit të fundit, Hadërsfildi e kaloi kufirin e 100 milionë eurove të fituar, me saktësisht 109.4 milionë euro, ndërsa ekipi i mesit të tabelës, Uest Hemi i vendit të 10-të mori plot 139 milionë euro.

Sfidanti.al