Fetel ia hedh me ndihmën e Zhan Todit, por gjermani rrezikon jo pak!

Sebastian Fetel nuk pati heqje pikësh nga ana e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA) pas aksidentit që shkaktoi në Çmimin e Madh të Azerbajxhanit në Formula 1. Ai thjesht mori vërejtje, ndërsa gjithçka u mjaftua me dënimin prej 10 sekondash që pati gjatë garës. FIA, e drejtuar nga ish-shefi i Ferrarit, Zhan Tod, pranoi “pendimin e thellë dhe të sinqertë të pilotit gjerman, dhe kërkesën e tij të faljes”, ndërsa Fetel do të duhet të zhvillojë disa veprimtari vullnetare si një dënim shtesë.

Kjo do të thotë se piloti i Ferrarit do të mbajë sërish 14 pikë epërsi ndaj Ljuis Hamiltonit të Mercedesit në renditjen e përgjithshme të Formula 1. Njerëzit pranë Hamiltonit dhe mediat angleze e kritikuan ashpër vendimin e FIA-s, duke mos harruar të theksonin se Tod ka qenë shef i Ferrarit në kohën e Mikael Shumaherit.

Gjithsesi, Fetel nuk është krejtësisht i sigurt nga ndëshkime të tjera. Pas Azerbajxhanit, atij iu hoqën 3 pikë nga patenta e tij si pilot në F1, dhe nëse i hiqen edhe 3 të tjera në Çmimin e Madh të Austrisë, ai nuk do të lejohet të garojë në Silverstoun. Po ashtu, gjermani e ka një paralajmërim që nga tetori i vitit të kaluar, kur ofendoi në radio një nga drejtuesit e garave.

Sfidanti.al