Euroliga, Anadolu nuk lëshon me Olimpiakosin, por Reali kalon në Turqi

Nga të tre rivalët e skuadrave turke në Euroligë, duket se “gjallë” do të mbetet vetëm Reali. Skuadra e madhe madrilene, 9 herë kampione e Europës, ia doli t’ia kthente “reston” Darushafakasë pa përvojë, duke e mundur 88-81 në Stamboll. Publiku i zjarrtë prej 5 000 spektatatorësh në “Folksvagen Arena” nuk ishte i mjaftueshëm për të tronditur formacionin e trajnerit Pablo Lasa, ndërsa të besuarit e trajnerit tjetër, Dejvid Blat, u detyruan të dorëzohen.

Reali rifitoi epërsinë e fushës duke kaluar në avantazh 2-1 në serinë çerekfinale, dhe i mjafton edhe një fitore për të qenë në “Final Four”. Xhejsi Karrol shënoi 21 pikë për miqtë, Gustavo Ajon 18, Luka Donçiç 13 dhe Sergio Jul e Entoni Randolf nga 12. Për Darushafakanë nuk mjaftuan Ziziç me 20 pikë dhe amerikani Uonëmejkër me 17.

Pati fat tjetër skuadra e dytë turke e mbrëmjes, Anadolu Efes. Ish-ekipi i Ermal Kuqos, përballoi sfidën e rëndë të Olimpiakosit me plot përvojë, duke fituar 64-60 dhe duke kryesuar në plej of 2-1. Nëse fiton ndeshjen tjetër, sërish në fushën e vet, në “Abdi Ipekxhi Arena”, kualifikohet. Do të kujdesen mbi 10 000 spektatorë që t’ia dalë. Më herët, në Katërshen Finale u kualifikuan Fenerbahçe e Stambollit dhe CSKA e Moskës.

Sfidanti.al