Dortmundi nuk është nga ata klube që mund të bëjnë çmenduri për futbollistët, përkundrazi, vetëm mund të marrë “zogj” të rinj për t’i shitur më pas si “shqiponja”. Gjithsesi, kur vjen puna tek Xhejdën Sançoja, Borusia ka strategji tjetër. Çdo çmenduri ka vlerë për ta mbajtur në “Signal Iduna Park”, “shqiponjën e re” angleze. Sulmuesi 19-vjeçar rinovoi kontratën me nënkampionët e Bundesligës, me një rritje tepër të ndjeshme të rrogës, nga 85 000 euro në javë, në 210 000 euro në javë.
Kjo do të thotë pagë prej rreth 11 milionë eurosh në vit. Kontrata e vjetër vlente deri në 2022, ndërsa kjo tani është zgjatur më shumë, dhe gjithçka ishte një shpërblim pasi Sanço refuzoi Mançester Junajtidin dhe Paris SG për të vazhduar karrierën në Dortmund. Sezonin e ardhshëm, pritet të jetë e vështirë që të mbahet adoleshenti, por gjithsesi Borusia synon të paktën që të fitojë sa më shumë prej kartonit të tij. Sanço vjet shënoi 13 gola dhe shërbeu 15 asistë, ndërsa së fundmi u vlerësua si lojtari i pestë më i shtrenjtë në botë, me vlerë 160 milionë euro.
Sfidanti.al