Danimarka ia dedikon kualifikimin Eriksenit, tani pret Uellsin në Amsterdam!

Gjithçka ishte për të, edhe pse suksesi vlejti për një komb. Danimarka ia kushtoi Kristian Eriksenit kualifikimin për në raundin e dytë të Kampionatit Europian, të cilin për ta bërë skenën më të plotë, e arriti në Kopenhagen. Gjithsesi, trajneri Kasper Hjulmand i ftoi lojtarët e tij të prisnin deri në përfundimin e ndeshjes Finlandë-Belgjikë, përpara sesa të festonin, ndaj edhe kremtimi u shty për nja dy minuta. Stadiumin “Parken” i kryeqytetit ishte ambienti i emocioneve të mëdha ndërsa skuadra nordike kaloi fazën e grupeve falë fitores 4-1 ndaj Rusisë. Po ashtu, falë Belgjikës që luajti prej vërteti dhe mundi Finlandën.

Autorët e golave, Mikel Damsgard, Jusuf Poulsen, Andreas Kristensen dhe Joakim Mehle ia dedikuan rrjetat pikërisht Eriksenit, shokut të tyre  të ekipit, të cilin mund të mos e kenë më në krah. Mesfushori i Interit thuajse humbi jetën nga ataku kardiak që pësoi në fushën e lojës në ndeshjen e parë në grup ndaj Finlandës, por tani është më mirë dhe ka dalë nga spitali. Është diçka e rrallë që një ekip arrin kualifikimin pasi pëson dy humbje në dy ndeshjet e para, siç i ndodhi Danimarkës ndaj Finlandës dhe Belgjikës.

“Çfarë nate që ishte, – tha Hjulmand, që u ul në stol vetëm për shkak të Kovidit dhe bllokimit të trajnerit të mëparshëm norvegjez Hairede, – ne shpresonim që të ishte magjike dhe kështu ndodhi. Një shpërblim për lojtarët që e mbajtën veten pas asaj që i ndodhi Eriksenit. Është e vështirë ta shpreh me fjalë atë që ndjejmë, por gjatë gjithë kohës ne mendojmë për Kristianin”. Danimarka luan në raundin e dytë në 26 qershor ndaj Uellsit, ndeshje që do të zhvillohet në Arenën “Johan Krujf” të Amsterdamit.

Sfidanti.al