Cili është shqiptari misterioz i ndjerë, Ari, të cilit iu dedikua një gol në Arabinë Saudite!

Ishin minutat e fundit të një ndeshjeje në Lindjen e Mesme. Një sulmues afrikan nga Mali, me emrin Musa Marega, shënoi golin e barazimit për ekipin udhëtues, Al Hilal, në fushën e Al Tauonit, dhe pastaj bëri një festim të veçantë. Futbollisti 30-vjeçar bëri shenjën e shqiponjës dhe tha disa fjalë ndërsa kaloi përpara kamerave që e filmuan nga fare afër. Ato fjalë ishin një dedikim për një njeri që mesa duket nuk jeton më, dhe që është shqiptar. Kjo u bë e qartë kur Marega bëri dy postime në Tuiter, duke sqaruar se përse ishte fjala.

“Goli i parë dhe një fitore e madhe, – shkruajti ish-sulmuesi i Portos, – falenderojmë Allahun. Unë ta kushtoj këtë gol ty Ari, shqiponjë e Shqipërisë. Pusho në paqe!” Marega hodhi në Tuiter edhe videon e golit duke përsëritur përkushtimin, “për ty Ari, pusho në paqe!” Nuk dihet se cili ka qenë ky bashkatdhetar i yni i pafat, por kuptohet që ka qenë shok i ngushtë me futbollistin nga Afrika. Përsa i përket ndeshjes, Al Hilali fitoi 2-1 me përmbysje në fushën e Al Tauonit. Marega shënoi golin e barazimit në minutën e 81-të, e më pas erdhi fitorja jashtë fushe me rrjetën e fitores shënuar në minutën e tretë shtesë nga koreani Jan Hju-Su. Ekipi kampion e ka nisur sërish shumë mirë ligën saudite duke pasur 6 pikë në 2 ndeshje.

Sfidanti.al