Çfarë Irani, nga katastrofa 2-6 me Anglinë në fitoren e merituar me Uellsin!

Vendi i madh i Lindjes së Mesme dëshiron të ketë edhe një skuadër futbolli të tillë. Nuk është e lehtë në një kupë bote, por kur vjen puna për një turne me 32 ekipe gjërat ndryshojnë. Irani pati fatin e keq që u ndesh që në fillim me njërën nga skuadrat më të forta të rruzullit, Anglinë, dhe katastrofa 2-6 bëri që gjithkush të mendonte se të besuarit e trajnerit Karlos Keiroz ishin lodhur kot që kishin shkuar në Katar. Gjithsesi, jeta vazhdoi dhe ata që dikur quheshin persët, treguan forcën e tyre. Fitorja 2-0 ndaj Uellsit bën që iranianët ta kenë në dorë fatin e tyre dhe një rezultat pozitiv ndaj SHBA-së mund t’i kualifikojë për në raundin e dytë.

Në stadium, u duk se po luhej në Teheran, aq epërsi në numra kishin tifozët iranianë, dhe skuadra nuk i la në baltë duke merituar gjithçka. Goditi dy herë shtyllat e portës së Uellsit dhe pati 21 gjuajtje ndaj vetëm 10 të rivalëve. Në portë gjuajtjet ishin 6-3, ndonëse uellsianët patën shumicën e zotërimit të topit. Për fat të keq, yjet e tyre si Bejl dhe Ramsej nuk ishin në ditën e tyre, ndërsa punën “e katranosi” portieri Henesei që doli me të kuqe pas një ndërhyjeje të pakujdesshme ndaj Mehdi Taremit. Ishin minutat e fundit, por kjo vulosi ndeshjen ndërsa Irani shënoi 2 gola në kohën shtesë.

Sfidanti.al