Një tjetër sukses i shtohet një karrierë të shkëlqyer. Padyshim të tilla janë kulmet e një kampioni të bilardos si Eklent Kaçi, që triumfoi edhe në Turneun e Hapur të Mbretërisë së Bashkuar në Londër. Bilardisti 24-vjeçar shqiptar doli i pari në një nga konkurimet më prestigjioze të këtij sporti, ndërsa rivaliteti ishte i madh në “Koper Boks Arenën” e kryeqytetit britanik. Në finale, Kaçi mposhti kampionin e vitit të kaluar, Xhoshua Filer madje me rezultatin e thellë 13-4, një duel që u dha direkt në Skaj Sports në Britani, dhe nga platforma DAZN në Shtetet e Bashkuara, Spanjë dhe Brazil. Finalja ishte e ekuilibruar deri në rezultatin 4-4, dhe Filer ishte i rrezikshëm duke u cilësuar si bilardist me instinkt vrasës.
Gjithsesi, shqiptari nuk i la asnjë shans duke dominuar deri në fund, e duke marrë edhe shpërblimin prej 30 000 dollarësh. “Të gjithë duan që të fitojnë titujt e mëdhenj, – tha ai më pas, – Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Unë punova shumë për t’ia dalë dhe më në fund ia arrita qëllimit. Unë kam garuar në turne edhe më të mëdhenj, ku ka qenë 50-60 lojtarët më të mirët në botë, por këtu jam ndjerë më mirë. Jam ndjerë si në shtëpinë time”. Bilardisti shqiptar nga Kurbini ka deri tani një karrierë të shkëlqyer duke dalë dy herë kampion i botës, edhe në bilardon me 9 e me 10 gurë, ndërsa arriti në finalen e Turneut të Më të mirëve të Botës zhvilluar gjithashtu në Londër pak javë më parë.
Sfidanti.al