Beloti përmbush profecinë e Sakit, ja shpresa e re e Italisë!

“Ai është në shembull sesi Zoti ndonjëherë nuk të blaton me talent të madh, por të jep cilësi të tjera si zemërgjerësia, entuziazmi dhe pasioni”. Këto ishin fjalët e kahershme të Arrigo Sakit për sulmuesin e ri të Italisë, Andrea Beloti. Ish-strategu i Milanit u shpreh kështu në prill 2017, ndërsa sot ylli i Torinos është bërë lojtari më i domosdoshëm për “Të Kaltrit”. Ai shënoi dy gola në fitoren e vështirë 3-1 në fushën e Armenisë, dhe italianët kanë 15 pikë të plota pas 5 ndeshjeve në grup, duke zgjuar entuziazmin e shuar pas eleminimit nga Botërori. Suksesi 3-1 në Erevan u arrit me përmbysje, me rrjeta të Belotit (1-1, 3-1) dhe Pelegrinit (2-1).

Beloti ka tani 7 rrjeta në 23 ndeshje për kombëtaren, dhe besimi është që do ta rrisë edhe më shumë nivelin e tij. Kjo është e domosdoshme që ekipi i trajnerit Roberto Mançini të konkurrojë me rivalët në Europë, e më pas në botë. Italia sot nuk ka emrat e shkëlqyer që kanë qenë në përbërje të saj që në vitet 30-të, e pastaj në vitet 60-të, 70-të, 80-të, 90-të apo 2000. Donaruma, Emerson, Romanjoli, Florenci, Barela, Zhorzhinjo, Bernardeski, Pelegrini, Sensi, Lazanja apo Kieza mund të quhen thjesht shpresa për të ardhmen, ndërsa yje më të njohur si Bonuçi e Verrati nuk i kanë të lehta krahasimet me legjendat.

Sfidanti.al