Bajerni si Omar Khajami, mbyt hallet me birrë në “Oktoberfest”!

Omar Khajami e këndoi që në shekullin e 11-të, ndërsa një krahinë, një qytet dhe një klub futbolli e ka vendosur si normë të paktën një ditë në vit. “Ktheni kupa dhe puthni çupa, besohet se shkroi poeti, matematikani dhe astronomi i famshëm persian, dhe kështu bënë futbollistët e Bajernit të Mynihut, bashkë me drejtuesit e tyre me rastin e Oktoberfestit. Pak rëndësi ka fakti se përse “Oktoberfesti” bie në shtator, kryesore është që u gjet një festë për të harruar hallet e sezonit, mëritë me njëri-tjetrin dhe barazimin e papritur me Volfsburgun.

Yjet e Bajernit kishin në krah “gjysmat e tyre më të mira”, gra apo të fejuara, dhe gotat e mëdha të birrës Paulaner i ndihmuan për t’u “zhytur” në momente lumturie. Ndryshon vetëm pija (birrë në vend të verës), por jo motimi i Khajamit, që ka çaste në jetë kur vështirësitë nuk duhen marrë shumë seriozisht. Edhe Karlo Ançeloti festoi bashkë me të shoqen, por edhe me dy “kolegët” e punës, shefat bavarezë, Uli Hënes e Karl-Hajnc Rumenige.

Sfidanti.al